Drafti i ri i BSH ndryshon rregullat për bankat dhe institucionet financiare jobanka
Banka e Shqipërisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj të ri që transformon kuadrin ligjor të sektorit bankar dhe financiar, duke e harmonizuar pothuajse plotësisht me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian.

Projektligji “Mbi ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre” synon të zëvendësojë modelin aktual të mbikëqyrjes bankare me një sistem të përafruar me rregullat europiane për bankat dhe institucionet financiare. Drafti përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën 2013/36/BE dhe ndryshimet më të fundit të BE-së që lidhen me mbikëqyrjen prudenciale, qëndrueshmërinë operacionale digjitale, administrimin e rrezikut dhe kriteret ESG.
Sipas Bankës së Shqipërisë, objektivi kryesor është vendosja e rregullave të reja për krijimin, licencimin, funksionimin dhe likuidimin e institucioneve të kreditit, si dhe forcimi i kompetencave të institucionit mbikëqyrës mbi sektorin bankar dhe financiar.
Rregulla të reja për kapitalin dhe administrimin e rrezikut
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të draftit lidhet me forcimin e kuadrit të mbikëqyrjes prudenciale dhe administrimit të rrezikut.
Për herë të parë në një ligj të plotë bankar shqiptar, përfshihen në mënyrë të qartë kërkesat për menaxhimin e rreziqeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG), duke reflektuar trendin europian që lidh stabilitetin financiar me ekspozimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe faktorëve të qëndrueshmërisë.
Projektligji vendos gjithashtu kërkesa më të forta për kapitalin, likuiditetin dhe administrimin e rrezikut, duke përfshirë raportin e mbulimit me likuiditet, raportin e financimit të qëndrueshëm neto dhe shtesat makroprudenciale të kapitalit për bankat me rëndësi sistemike.
Përmes këtyre masave, Banka e Shqipërisë synon të rrisë aftësinë e sistemit bankar për të përballuar goditjet ekonomike apo financiare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar në afatgjatë.
Standarde më të forta për drejtuesit e bankave
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me qeverisjen e brendshme të bankave. Drafti vendos standarde më të forta për përbërjen dhe funksionimin e organeve drejtuese, komitetet e emërimeve dhe shpërblimeve, si dhe kriteret e përshtatshmërisë për administratorët dhe drejtuesit bankarë.
Po ashtu, forcohet kontrolli mbi politikat e shpërblimit të drejtuesve, një element që në standardet europiane konsiderohet i lidhur drejtpërdrejt me shmangien e marrjes së rreziqeve të tepruara nga bankat.
Mbikëqyrje më e fortë për bankat e huaja
Drafti sjell edhe rregulla të reja për degët e bankave nga vendet e treta që operojnë në Shqipëri.
Projektligji përcakton kushte më të detajuara për licencimin, kapitalin minimal, kërkesat për likuiditet dhe mbikëqyrjen e tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë fiton kompetenca më të zgjeruara për të vlerësuar rëndësinë sistemike të këtyre degëve.
Në rastet kur një degë bankare konsiderohet me rrezik për stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë mund të kërkojë transformimin e saj në filial të mirëfilltë.
Rriten kompetencat ndëshkuese të Bankës së Shqipërisë
Projektligji parashikon gjithashtu një regjim më të gjerë masash administrative dhe gjobash për shkeljet e kërkesave prudenciale, licencimit apo raportimit.
Banka e Shqipërisë do të ketë më shumë instrumente ndërhyrjeje ndaj institucioneve problematike, ndërsa drafti rregullon më në detaje edhe proceset e likuidimit të detyruar të bankave dhe mbrojtjen e depozituesve, në përputhje me praktikat europiane të menaxhimit të krizave bankare.
Ndryshime edhe për institucionet financiare jobanka
Një kapitull i veçantë i projektligjit i dedikohet subjekteve financiare jobanka, përfshirë institucionet që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme.
Drafti përcakton kërkesa të reja për licencimin, administrimin e rrezikut, mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen e tyre nga Banka e Shqipërisë.
Me këtë paketë ndryshimesh, Banka e Shqipërisë synon të krijojë një sistem financiar më të qëndrueshëm, më transparent dhe më të harmonizuar me standardet europiane, në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)